Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se kjo parti do ta dërgojë në Prokurori çështjen e vendimeve të Qeverisë për themelimin e 18 komisioneve, të cilat, sipas tij, janë krijuar për emërime në agjenci ekzekutive e qeveritare dhe në pozita publike.
Tahiri ka akuzuar Qeverinë në detyrë se po vazhdon me emërime edhe pse, sipas tij, nuk ka legjitimitet për të ndërmarrë veprime të tilla, ndërsa ka kërkuar që këto vendime të anulohen menjëherë.
Sipas Tahirit, Qeveria në detyrë nuk duhet të zhvillojë procedura të reja për emërime në pozita publike, ndërsa paralajmëroi se çështja do të trajtohet edhe në aspektin juridik.
Deputeti i Aleancës tha se partia e tij nuk do të lejojë, siç u shpreh, që administrata shtetërore të vihet në funksion të një partie dhe paralajmëroi kallëzim penal ndaj personave përgjegjës.
Tahiri tha se kjo nuk është e vetmja çështje për të cilën, sipas tij, ka shkelje dhe paralajmëroi se do të ngrihen edhe raste të tjera që lidhen me ushtrimin e funksioneve të dyfishta nga deputetët e betuar.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





