Më shumë se dhjetë krijues të rinj të filmit dhe studentë të filmit nga Ballkani Perëndimor u mblodhën dje në Sarajevë në Konferencën e Dytë Rajonale për Bashkëpunimin Kulturor të të Rinjve, e cila këtë vit zhvillohet si Forumi Studentor i Festivalit të Filmit në Sarajevë.
Programi organizohet nga projekti Laboratori Rinor i Ballkanit Perëndimor, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), në bashkëpunim me Festivalin e Filmit në Sarajevë (SFF).
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Amer Kapetanoviq, tha se krijimi i mundësive që artistët e rinj të takohen, të mësojnë nga njëri-tjetri dhe të punojnë së bashku është një investim i rëndësishëm jo vetëm në kulturë, por edhe në bashkëpunimin rajonal.
Forumi Studentor ofron mundësinë për të rinjve nga fakultetet e arteve dramatike në rajon prezantimin e punës së tyre, mësimin nga krijues dhe aktorë ndërkombëtarë, si dhe shkëmbimin e përvojave me profesionistë të industrisë së filmit.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com





