Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do të mbetet në paraburgim deri në shpalljen e aktgjykimit në çështjen gjyqësore ku ai akuzohet së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara ka vendosur të mos e miratojë kërkesën e mbrojtjes për lirimin e ish-presidentit të Kosovës.
Vendimi vlerëson se nuk ka informacion të mjaftueshëm për të arritur në përfundimin se Thaçi do t’i shmangej drejtësisë nëse do të lirohej, por ka konstatuar se ekzistojnë rreziqe që ai mund të pengojë ecurinë e procedurave ose të ndikojë te dëshmitarët.
Sipas Trupit Gjykues, ekziston një rrezik i mjaftueshëm që Thaçi, në rast lirimi, të mund të ndërhyjë në proceset e Dhomave të Specializuara dhe të kryejë vepra të tjera penale ndaj personave që ai mund t’i perceptojë si kundërshtarë të UÇK-së, përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë dëshmi në këtë çështje.
Aktgjykimi ndaj tij, Veselit, Selimit dhe Krasniqit pritet të shpallet më 16 shtator 2026.
Në të njëjtin vendim, kryegjyqtari Charles Smith ka urdhëruar që palët të mos paraqesin më parashtresa lidhur me shqyrtimin e ardhshëm të masës së paraburgimit ndaj Thaçit, duke vlerësuar se një shqyrtim i tillë nuk është më i nevojshëm në këtë fazë.
Procesi gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit në çështjen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





