Konjufca: Kosova vazhdon të mbështesë Ukrainën dhe solidaritetin ndërkombëtar

Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas deklaratave të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Beograd, ku ai ka rikonfirmuar qëndrimin e Ukrainës për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Konjufca ka shprehur keqardhje për këtë qëndrim, duke theksuar se Kosova ka qenë e rreshtuar qartë me Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus. “Që nga dita e parë e agresionit të plotë të Rusisë, Kosova ka qëndruar pa mëdyshje në krah të Ukrainës.

Ne e dënuam pushtimin, u rreshtuam plotësisht me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, vendosëm sanksione ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, ofruam ndihmë humanitare dhe strehim për gazetarët ukrainas, si dhe kontribuuam me ndihmë dhe trajnime ushtarake në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës”, ka shkruar Konjufca, në platformën X, transmeton Zeri.info.


- Advertisement -

Ai ka theksuar se Kosova i ka ndërmarrë këto hapa edhe përkundër faktit se Ukraina nuk e njeh pavarësinë e saj, duke argumentuar se solidariteti me një popull që mbron lirinë, sovranitetin dhe integritetin territorial është çështje parimore.

Në reagimin e tij, Konjufca ka bërë edhe një krahasim me qëndrimin e Serbisë ndaj luftës në Ukrainë. “Ndërsa Kosova ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, Serbia nuk është rreshtuar me sanksionet e BE-së të vendosura si përgjigje ndaj luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, ka deklaruar ai.

Konjufca ka rikujtuar më pas procesin historik dhe politik që çoi në shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Sipas tij, pavarësia e Kosovës nuk ishte rezultat i aneksimit, pushtimit apo zgjerimit territorial, por i një procesi ndërkombëtar nën administrimin e Kombeve të Bashkuara dhe i negociatave të ndërmjetësuara ndërkombëtarisht për statusin përfundimtar të Kosovës.

Ai ka përmendur edhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, e cila, sipas Konjufcës, konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. “Pikërisht për këto arsye, përpjekjet e Rusisë për ta përdorur Kosovën si precedent apo justifikim për pushtimin, okupimin ose tentativën për aneksimin e territorit ukrainas janë historikisht dhe juridikisht të pavërteta.

Një paralelizëm i tillë nuk ekziston”, ka shkruar Konjufca.

Në fund, ai ka ritheksuar mbështetjen e Kosovës për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, por ka kundërshtuar që Kosova të trajtohet përmes perspektivës së integritetit territorial të Serbisë. “Do ta mirëprisnim njohjen e Republikës së Kosovës nga Ukraina.

Një vendim i tillë do t’i forconte pikërisht parimet e lirisë, demokracisë dhe të drejtës ndërkombëtare që Ukraina po i mbron sot”, ka përfunduar Konjufca./Zëri Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *