Pas raportit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) mbi gjetjet laboratorike të mostrave të analizuara nga produktet e qumështit, Inspektorati Qendror për Mbikëqyrjen e Tregut (IQMT), në bashkëpunim me inspektorët e AUV-së, ka filluar sot një aksion të koordinuar për inspektimin e deklaracioneve dhe etiketimit të produkteve të qumështit në rrjetet e marketeve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit, garantimit të informimit të saktë për produktet ushqimore dhe forcimit të sigurisë në treg, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) do të intensifikojë mbikëqyrjen e tregut të qumështit, duke përfshirë si produktet e prodhuara në Republikën e Kosovës, ashtu edhe produktet e importuara.
Sipas njoftimit, në përputhje me Ligjin për Ushqimin dhe Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, inspektimet janë fokusuar në verifikimin e etiketimit, reklamimit dhe paraqitjes së produkteve në treg, për të vlerësuar nëse ato janë në përputhje me rezultatet e ekzaminimeve laboratorike të kryera nga AUV. ‘Për të parandaluar praktikat mashtruese ndaj konsumatorëve, MINTI u bën thirrje të gjitha kompanive, produktet e të cilave kanë rezultuar të mos jenë në përputhje me deklaracionin e vendosur në etiketë, që të ndërmarrin menjëherë masat e nevojshme për korrigjimin e etiketimit dhe tërheqjen e produkteve nga tregu.
Në të kundërtën, në bazë të kompetencave ligjore, IQMT-ja dhe AUV-i do të ndërmarrin masa administrative dhe ndëshkuese, duke përfshirë edhe ndalimin e përkohshëm të tregtimit të produkteve që nuk përmbushin kërkesat ligjore’, thuhet në njoftim.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





