Aktgjykimi për luftën e Kosovës: Ish-kryetari i Kuvendit shprehet për procesin gjyqësor

Në pritje të aktgjykimit në një nga proceset më të ndjekura gjyqësore që lidhen me luftën e Kosovës.

Ish-kryetari i Kuvendit flet gjerësisht për procesin gjyqësor, pritjet nga vendimi i 16 shtatorit, familjen, situatën politike në Kosovë dhe mesazhin që dëshiron t’ua lërë brezave të rinj.

Krasniqi shpreh bindjen se aktgjykimi ndaj tij, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit do të dëshmojë drejtësinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Nuk kam asnjë dyshim se në fund, kur të peshohen të gjitha faktet, drejtësia do të triumfojë dhe pastërtia e luftës sonë çlirimtare do të konfirmohet plotësisht.


- Advertisement -

Kam pasur fatin dhe nderin e jashtëzakonshëm të jem zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Armët e mia kanë qenë LAPSI dhe FJALA, përmes tyre kam prezantuar të vërtetën dhe vuajtjet e popullit tim para botës demokratike.

Besoj fuqishëm se ky proces do të shërbejë për të vërtetuar para historisë se lufta jonë ishte një përpjekje e drejtë, e pastër dhe e pashmangshme për liri”, tha ai.

I pyetur për zhvillimet politike në vend, ai u bën thirrje udhëheqësve që interesin e shtetit ta vendosin mbi interesat partiake dhe të kenë parasysh sakrificën mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës. “Ndërtimi i shtetit nuk është kurrë proces i lehtë, prandaj mesazhi im për ata që udhëheqin sot është se pushtetet dhe mandatet qeverisëse janë të përkohshme, por Republika e Kosovës është e përhershme.

Në këtë rrugëtim, kurrë nuk duhet të harrojmë çmimin e lartë njerëzor që është paguar për institucionet që gëzojmë sot.

Kosova thjesht nuk e ka luksin për përçarje të brendshme artificiale apo për interesa të ngushta partiake.

Sfidat tona, si ato të brendshme, ashtu edhe ato në skenën ndërkombëtare e gjeopolitike, kërkojnë një vizion strategjik afatgjatë që shkon përtej mandateve katërvjeçare”, theksoi Krasniqi.

Krasniqi, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, ka edhe një mesazh për familjen, fëmijët dhe nipërit që kanë lindur gjatë kohës së qëndrimit të tij në paraburgim. “Dua që fëmijët dhe nipërit e mi ta kuptojnë se liria që gëzojnë sot nuk erdhi vetvetiu, çmimi i saj vazhdon të paguhet.

Porosia ime për ta është e qartë: të mos ia shesin kurrë shpirtin djallit, pavarësisht çmimit apo presioneve që mund të kenë.

Kjo kohë e largësisë do të kalojë, por ajo që mbetet përjetë është dinjiteti dhe emri i pastër që po u lëmë trashëgimi”, tha ai./RTK Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *