Në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 69 raste me fruth që nga 16 prilli deri më 20 korrik 2026, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar 11 raste të reja, ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).
Sipas të dhënave të IKSHPK-së, numri më i madh i rasteve është regjistruar në Prishtinë me 21 raste.
Pasojnë Ferizaji dhe Fushë-Kosova me nga 12 raste, Kaçaniku me shtatë, Lipjani me tre, ndërsa Vushtrria, Shtimja, Drenasi dhe Obiliqi kanë nga dy raste secila, transmeton Zeri.info.
Nga një rast është konfirmuar në Podujevë, Gjilan, Deçan, Skenderaj, Shtërpcë dhe Viti.
IKSHPK-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet sa më shpejt në institucionet shëndetësore.
Po ashtu, Instituti ka apeluar te prindërit dhe kujdestarët që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë imunizimin sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit.
Sipas IKSHPK-së, vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e personave të pavaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





