Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, i është nënshtruar vullnetarisht një narko-testi, rezultatet e të cilit kanë konfirmuar se ajo nuk ka përdorur substanca narkotike.
Testimi është kryer mëngjesin e së hënës në laboratorin e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa rezultatet janë publikuar rreth orës 13:00, duke rezultuar negative.
Pas publikimit të rezultateve, Kadrijaj tha se me këtë veprim synon të promovojë transparencën dhe llogaridhënien edhe te zyrtarët publikë. “Duhet ta bëjmë një ligj që t’i detyrojë të gjitha institucionet, pavarësisht cilit sektor i përkasin.
Edhe Kuvendi, edhe Policia, edhe Ushtria, edhe shkollat, edhe mësimdhënësit, edhe mjekët, të gjithë duhet t’i nënshtrohen narko-testit, në mënyrë që të ketë transparencë dhe të luftohet ky fenomen i keq”, deklaroi ajo.
Kadrijaj, e cila është politikania e dytë që i nënshtrohet vullnetarisht narko-testit pas Burim Ramadanit, bëri thirrje që testimi të rregullohet me ligj dhe të bëhet i detyrueshëm në institucionet publike, si dhe në sistemin arsimor.
Ajo u bëri thirrje edhe deputetëve të tjerë t’i përgjigjen kësaj nisme. “Jini transparentë me publikun.
Nëse ekziston qoftë edhe pak dyshim dhe një deputet apo zyrtar i lartë sfidohet ta bëjë narko-testin e nuk e bën, atëherë vihet në pikëpyetje besueshmëria e tij”, tha Kadrijaj.
Sipas procedurës, narko-testi kryhet në laboratorin e Klinikës së Gjinekologjisë, ndërsa paraprakisht qytetarët duhet të pajisen me udhëzim nga Klinika e Psikiatrisë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





