Vendimi i Gjykatës Supreme në favor të veteranëve të UÇK-së për të përfituar pensionin e veteranit dhe pensionin e moshës

Avokati Nazmi Sallahi ka bërë të ditur se Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë një vendim që, sipas tij, ua njeh veteranëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës të drejtën për të përfituar njëkohësisht pensionin e veteranit dhe pensionin e moshës, si dhe pensionin e trashëgimtarit pas vdekjes së veteranit.

Sallahi për “Zërin” ka thënë se deri tani veteranëve u është mohuar padrejtësisht dhe në kundërshtim me ligjin e drejta për të përfituar pensionin e veteranit krahas pensionit bazë dhe atij kontributdhënës.

Sipas tij, pensioni i veteranit përfaqëson njohjen e sakrificës dhe kontributit gjatë luftës çlirimtare dhe nuk duhet të konsiderohet si zëvendësim i pensioneve që burojnë nga mosha ose kontributet e paguara gjatë punës.


- Advertisement -

Ai ka theksuar se ndalimi i përfitimit të dy pensioneve bie ndesh me parimin e barazisë para ligjit, sigurinë juridike dhe mbrojtjen e të drejtave të fituara, duke shtuar se çdo kufizim i tillë duhet të mbështetet në bazë të qartë kushtetuese dhe ligjore. “Veteranët e UÇK-së nuk kërkojnë privilegje.

Ata kërkojnë vetëm respektimin e ligjit, të Kushtetutës dhe të së drejtave të fituara.

Sakrifica për lirinë e vendit nuk mund të shndërrohet në arsye për t’u kufizuar të drejtat që burojnë nga puna, kontributi dhe rendi juridik i Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Sallahi.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -