Këngëtarja britanike Olivia Dean ndërpreu koncertin e saj në Paris të enjten mbrëma për t’i ndarë publikut një lajm që e emocionoi jashtëzakonisht shumë – Anglia kishte kaluar në epërsi ndaj Kroacisë në ndeshjen e parë të Kupës së Botës 2026.
Në takimin e Grupit L, Anglia triumfoi në fund me rezultat 4:2, ndërsa dy nga golat u shënuan nga sulmuesi Harry Kane.
Dean, fituese e çmimit Grammy dhe një nga emrat më të spikatur të muzikës britanike, po performonte në kryeqytetin francez në kuadër të turneut të saj botëror “The Art of Loving Live”, kur vendosi të ndalonte për pak çaste muzikën për të reaguar ndaj zhvillimeve në fushën e lojës. “Aaa, Anglia sapo shënoi, pooo!”, bërtiti ajo me entuziazëm, përpara se të niste të kërcente nga gëzimi në skenë.
Publiku e priti reagimin e saj me duartrokitje, ndërsa artistja vazhdoi më pas koncertin duke interpretuar hitin e saj “Man I Need”.
Goli i parë për Anglinë u realizua nga Harry Kane në minutën e 12-të, nga pika e bardhë pas një penalltie të përsëritur.
Pamjet e momentit u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, ku ngjallën reagime të shumta.
Disa përdorues komentuan me humor se publiku francez në Paris mund ta ketë pritur me habi festimin e një fitoreje angleze. “Jam i sigurt se francezëve u pëlqeu kjo”, shkroi një komentues, ndërsa një tjetër shtoi me ironi: “Vë bast se francezët ishin të entuziazmuar”, duke e shoqëruar komentin me emoji që qesh me lot.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi.com






