Tensione janë regjistruar në Kuvendin e Shqipërisë, këtë të enjte ku deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren gjatë seancës plenare.
Tensionet erdhën pasi kryetari i opozitës Sali Berisha ka kërkuar fjalën pas Taulant Ballës ndërkohë që drejtuesi i seancës, Niko Peleshi, nuk i ka dhënë, çka ka sjellë reagime nga deputetët e opozitës dhe bllokim të foltores.
Pasi deputetët e opozitës nuk pranuan të largohen nga foltorja, Niko Peleshi ndërpreu seancën me 5 minuta.
Edhe pas rifillimit të seancës, deputetët e PD-së vijuan ta mbanin të bllokuar foltoren.
Ai njoftoi se do të kalohej në pikën 3 të rendit të ditës, ku ministri i Jashtëm Ferit Hoxha do të raportonte mbi Konferencën e Tetë Ndërqeveritare BE–Shqipëri për procesin e negociatave dhe integrimit të vendit.
Peleshi theksoi se po zbatohej rregullorja dhe se fjala nuk merret kur kërkohet jashtë rendit të ditës.
Deputeti Flamur Noka e akuzoi kryeparlamentarin për shkelje të rregullores, ndërsa Peleshi iu përgjigj me tërheqje vëmendjeje.
Peleshi vendosi ndërprerjen e seancës për 15 minuta, duke theksuar se “seanca nuk është arenë gladiatorësh”.
Burimi origjinal i informacionit: zeri.info






