Gjykata Themelore në Prishtinë shqipton dënimin e 6 viteve burg për bashkëpunim me shërbimin sekret serb

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar sot (e hëne) 6 vjet burgim efektiv Hysri Selimit, i shpallur fajtor për veprën penale të spiunazhit në favor të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA).

Ky është rasti i katërt në Kosovë ku shqiptohet dënim me burg efektiv për bashkëpunim me shërbimin sekret serb, duke reflektuar intensifikimin e veprimeve institucionale kundër rrjeteve të spiunazhit që cenojnë sigurinë kombëtare.

Rasti konsiderohet gjithashtu një shembull i rëndësishëm i bashkëpunimit ndërinstitucional, ku hetimet dhe zbulimi i aktivitetit të Selimit u mundësuan përmes koordinimit të ngushtë ndërmjet Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës.


- Advertisement -

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Selimi kishte bashkëpunuar për vite me radhë me BIA-n serbe, duke mbledhur dhe dërguar informacione që lidhen me ish-pjesëtarë të UÇK-së, krimet e luftës, personat e radikalizuar dhe pjesëmarrjen e shtetasve kosovarë në konfliktin në Siri.

Prokuroria ka pretenduar se Selimi ishte rekrutuar nga BIA që në vitin 2009 dhe se veprimtaria e tij kishte vazhduar deri në arrestimin e tij më 6 maj 2025.

Sipas dosjes së rastit, ai ishte pajisur me telefona të mençur, mjete financiare dhe përfitime të tjera nga zyrtarët serbë, me qëllim të kryerjes së detyrave të caktuara nga ky shërbim.

Aktakuza thekson se, me instruksione të BIA-s, Selimi kishte udhëtuar në Siri në vitin 2015, ku iu bashkua organizatës terroriste ISIS dhe më pas raportonte tek zyrtarët serbë për numrin, organizimin dhe aktivitetin e shqiptarëve që vepronin brenda kësaj organizate terroriste.

Sipas burimeve të hetimit, ai kishte luajtur rol edhe në nxitjen dhe orientimin e qytetarëve shqiptarë drejt grupeve ekstremiste, në përputhje me interesat operative të BIA-s.

Pretendimi i Hysri Selimit, thotë se ishte agjent i dyfishtë – YouTube Pas kthimit nga Siria dhe vuajtjes së dënimit për pjesëmarrje në organizata terroriste, Selimi kishte vazhduar kontaktet me zyrtarë të lartë të BIA-s në Serbi, duke u takuar me ta në Vranjë, Nish dhe Bujanoc.

Ai u siguronte informacione lidhur me personat e radikalizuar, rrymat vehabiste në Kosovë, funksionimin e objekteve fetare dhe çështje të tjera që konsideroheshin me interes për inteligjencën serbe.

Sipas Prokurorisë, për këto aktivitete ai paguhej deri në 700 euro në muaj dhe kishte në dispozicion mjete të posaçme komunikimi për kontaktet me zyrtarët e BIA-s.

Gjykata vlerësoi se veprimet e Selimit kanë rrezikuar rëndë rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, ndërsa kanë ndihmuar përpjekjet e shërbimeve serbe për të ndërtuar narrativa të dëmshme kundër shtetësisë së Kosovës.

Përveç dënimit me 6 vjet burgim, Selimi është obliguar të paguajë 100 euro paushall gjyqësor dhe 50 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Gjykata ka vendosur gjithashtu vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj tij deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Burimi origjinal i informacionit: zeri.info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *