Gëzim Hazrolli kritikon idenë për xhandarmëri në Kosovë: ‘Nuk ka bazë kushtetuese’

Gëzim Hazrolli, ushtarak me karrierë të gjatë dhe kandidat i LDK-së për deputet, ka kritikuar idenë për formimin e një xhandarmërie në Kosovë, ide të cilën e ka prezantuar së fundmi kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Hazrolli tha se për një projekt të tillë nuk ka bazë kushtetuese dhe nuk mbështetet nga korniza aktuale ligjore.

Në emisionin Rubikon, Hazrolli deklaroi se mungesa e konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë e bën edhe më problematik diskutimin për këtë çështje. ‘Problemi i parë është që s’ka bazë kushtetuese, e dyta korniza ligjore nuk na lejon dhe e treta diskutimet me partnerë nuk janë bërë fare’, tha Hazrolli.


- Advertisement -

Ai ngriti shqetësimin edhe për kohën kur është prezantuar ideja për krijimin e xhandarmërisë, duke theksuar se kjo temë po përdoret për fushatë. ‘Çka është më e ndjeshme, del në kohë fushate një projekt i tillë.

Ne duhet të kemi diskutim publik faktikisht, një analizë të thuktë a mundet buxheti i Kosovës ta mbulojë një kapacitet të ri’, tha më tej Hazrolli, në Rubikon të Klan Kosovës.

Hazrolli shtoi se institucionet ekzistuese të sigurisë kanë kapacitete të mjaftueshme për t’u përballur me sfidat aktuale, nëse ato vazhdojnë të fuqizohen dhe pajise si duhet. ‘Kemi kapacitete të bollshme të policisë, krejt çka duhet është t’i fuqizojmë, duhet t’i pajisim dhe duhet t’i mundësojmë që të përmbushin mandatin e tyre.

Por kemi kapacitete edhe në ushtri, kemi edhe forcat speciale në ushtri që janë në këtë fushë për të mbuluar atë mandat të ruajtjes së kufirit, të mbikëqyrjes së trazirave dhe kërcënimeve që dalin, sikur rasti i Banjskës’, u shpreh Hazrolli.


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *