Në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Arbër Havolli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e 6 shtatorit 2025 në Llapashticë të Epërme në Podujevë.
Ai e pranoi fajësinë për “Armëmbajtje pa leje”.
Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari Havolli e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Bukurije Gjonbalaj.
Prokurorja deklaroi se pajtohet me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit për armëmbajtje pa leje.
Mbrojtësi i tij, avokati Bekim Sfishta, e mbështeti deklaratën e Havollit.
Gjykatësi Alban Ajvazi miratoi pranimin e fajësisë për armëmbajtje pa leje.
Havolli u deklarua i pafajshëm për vrasjen dhe pritet që në gjykim të paraqesë kundërshtimin e provave.
