Ministrat e BE-së mbështesin bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor në siguri dhe mbrojtje

Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhanë mbështetje politike për thellimin e bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimor në çështjet e sigurisë së jashtme dhe mbrojtjes.

Në sesionin e mëngjesit të takimit ministror më 11 maj, kryediplomatët e shteteve anëtare të bllokut u takuan me gjashtë homologët e tyre nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kosova në këtë takim u përfaqësua nga ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.


- Advertisement -

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, sqaroi në fund të takimit se Brukseli është i gatshëm t’i mbështesë vendet e rajonit në përpjekjet për luftimin e kërcënimeve hibride dhe dezinformatave, si dhe përmes përdorimit më të madh të Instrumentit Evropian të Paqes për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të partnerëve.

Megjithatë, ministrat evropianë u kërkuan vendeve të rajonit që të harmonizohen me vlerat e përbashkëta. ‘Vendet anëtare shprehën pritjen që të gjitha vendet të ecin në rrugën evropiane dhe të jenë plotësisht të harmonizuara me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, sepse në këto kohë gjeopolitike në të cilat jetojmë, kjo nuk është vetëm përmbushje formale e obligimeve, por në fakt tregon nëse e shohim botën në të njëjtën mënyrë,’ deklaroi Kallas.

Ajo vuri në pah se jo të gjitha vendet e rajonit janë plotësisht të harmonizuara me politikën e sanksioneve të Bashkimit Evropian. ‘E dimë shumë mirë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë të ndryshme dhe kanë pikëpamje të ndryshme për çështje të caktuara, gjë që në masë të madhe reflektohet në harmonizimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë,’ shtoi Kallas.

Shefja e diplomacisë evropiane theksoi se partneriteti zhvillohet në të dy drejtimet, prandaj nga vendet e rajonit priten reforma të mëtejshme, respektim i sundimit të ligjit, si dhe harmonizim i qartë me politikën e jashtme të BE-së. /REL


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *