Ish-komandanti i UÇK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe te varri i Komandant Drinit, për të cilin tha se ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.
Ekrem Rexha – Drini, ishte ndër figurat më emblematike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili me aftësitë e tij si udhëheqës dhe vizionar, la gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë të lavdishme.
I afërt dhe i respektuar nga të gjithë, humbja e tij ishte një goditje e madhe për vendin dhe një dhimbje e thellë për familjen dhe bashkëluftëtarët. 8 maji na kthen në kujtesë vitin 1999, motrat dhe vëllezërit e fshatrave Kashicë, Staradran dhe Terstenik, që me sakrificën e tyre u bënë gurthemel i shtetit që e gëzojmë sot.
Po në këtë datë, kujtojmë Betejën e Llapushnikut, e zhvilluar më 8, 9 dhe 10 maj të vitit 1998, ndër betejat më të lavdishme të Luftës sonë Çlirimtare.
Kjo betejë shënoi një kthesë me rëndësi në zhvillimin e luftës frontale, duke i ndërprerë armikut një prej arterieve kryesore të furnizimit.
Me përulje e respekt kujtojmë dhe nderojmë 47 Dëshmorë dhe 54 Martirë që ranë në altarin e lirisë së Kosovës.
Haradinaj po ashtu kujtoi dëshmorët dhe martirët e fshatit Lëbushë.





