Pjesa më e lartë e objektit të Shkollës së Mesme “Shaban Hasani” në Ferizaj u shemb të premten, si pasojë e erërave të forta që goditën gjatë së enjtes në mbrëmje.
Një pjesë e kulmit nuk arriti t’i përballonte stuhisë.
Kjo situatë e detyroi drejtuesit e shkollës të anulojnë mësimin. “Edhe për dëmtimin e një pjese të kulmit të këtij objekti, domethënë që e kam pasur mbrëmë rreth orës 1:00, po pastaj në mëngjes herët e vlerësuam gjendjen.
Së bashku me drejtorin e arsimit konstatuam që për sot të mos mbahet mësimi për arsye të disa llamarinave të vjerrura, edhe menduam që po rrezikohet ndonjë nxënës apo ndonjë pjesëtar tjetër i shkollës,” deklaroi Arben Halili, drejtor i shkollës.
Sipas Halilit, mësimi i rregullt do të vazhdojë javën tjetër. “Nuk kemi dëme të tjera brenda, domethënë klasa normale, mund të mbahet mësimi po përveç kësaj llamarine që menduam po na rrezikohet.
Tash mora informacion që do të vijnë disa ekipe për sanim, me pa se çfarë duhet me intervenuar, dhe po besoj që të hënën me siguri do të fillojë,” theksoi ai.
Dëme nga erërat e forta janë raportuar edhe në lokacione të tjera në Ferizaj, ku në disa raste u kërkua edhe ndihma e ekipeve të zjarrfikësve. “Ne si zjarrfikës i kemi marrë gjitha masat e nevojshme, kemi bo mobilizimin dhe kemi arrit ti sanojmë disa gjëra.
Edhe në këto momente, të gjitha ekipet operative janë në terren.
Ka pasur dëme në shkolla dhe objekte private, por ne jemi duke dhënë maksimumin për të qetësuar gjendjen.
Dashtë Zoti të mos kemi sonte, sepse parashihet që do të ketë edhe sonte, por ne i kemi marrë të gjitha masat dhe do të jemi pranë qytetarëve,” deklaroi Zymri Krasniqi, zjarrfikës.
Nga Komuna e Ferizajt, njoftojnë se nuk ka asnjë person të lënduar, ndërsa për dëmet materiale, thonë se ende nuk mund të japin një vlerësim të saktë. “Është një lëndim i vogël i një fëmije, i cili nuk ka ardhur për shkak të pasojave të erërave, mirëpo sa i përket punës së dëmeve materiale, do të shihet dhe do të dalim me një shifër të saktë.
E mira e kësaj pune është që dëme në njerëz nuk ka dhe do të mundohemi që sa më shpejt t’i dalim në ndihmë atyre qytetarëve dhe atyre objekteve ku është bërë dëmi më i madh,” tha Alberton Sahiti, drejtor i shërbimeve publike.
Përveç Ferizajt, dëme nga erërat e forta janë raportuar edhe në qytetet e tjera të vendit.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

