Një komandant i lartë i Gardës Revolucionare Islamike tha se ‘me gjasë’ do të rinisë konfrontimi ushtarak mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara – vetëm dy ditë pasi Irani dorëzoi një draft-propozim për paqe te ndërmjetësi, Pakistani.
Mohammad Jafar Asadi, zëvendëskomandant i Shtabit Qendror Khatam al-Anbiya, komanda qendrore e ushtrisë, i bëri këto deklarata më 2 maj, duke pretenduar se dëshmitë tregojnë se ‘Amerika nuk e respekton asnjë marrëveshje apo zotim’.
Ai i hodhi poshtë deklaratat dhe veprimet e SHBA-së që nga armëpushimi i 8 prillit, duke i ciësuar si gjerësisht të inskenuara, të dizajnuara, sipas tij, kryesisht për të ndalur rënien e çmimeve të naftës dhe për të ndihmuar Uashingtonin të ‘shpëtojë nga kurthi që e krijoi vetë’.
Ai shtoi se forcat e tij janë në gjendje ‘gatishmërie të plotë’ për çdo situatë të mundshme.
Këto deklarata erdhën në kohën kur janë të rritura tensionet diplomatike.
Irani dorëzoi draftin e tij në Islamabad më 29 prill, raportuan mediat shtetërore, por nuk u dhanë detaje për përmbajtjen e tij.
Lufta e nisur nga SHBA-ja dhe Izraeli më 28 shkurt – është ndërprerë që nga 8 prilli, ndonëse një rund bisedimesh për paqe, i mbajtur në Pakistan, nuk ka prodhuar rezultate.
Në Uashington, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ai nuk ishte i kënaqur me ofertën iraniane. ‘Në këtë moment nuk jam i kënaqur me atë që po ofrojnë’, u tha ai gazetarëve, duke ia atribuuar bllokadën ‘mosmarrëveshjeve të mëdha’ brenda udhëheqjes iraniane.
Ai e paraqiti zgjedhjen në mënyrë të prerë: ‘A duam të shkojmë dhe thjesht t’i shkatërrojmë plotësisht dhe t’i përfundojmë përgjithmonë – apo duam të përpiqemi të bëjmë një marrëveshje?’.
Trump tha se ‘do të preferoja të mos’ zgjidhte opsionin e parë, ‘nga një këndvështrim njerëzor’.
