Reperi Drake donte të zbulonte publikimin e albumit të tij me ndihmën e një skulpture akulli në Toronto – ose më saktë, fansat do ta zbulonin kur skulptura të shkrihej.
Megjithatë, për shkak të interesit të jashtëzakonshëm që ngjalli dhe shqetësimeve për sigurinë – zjarrfikësit vendosën ta shkrinin atë me forcë.
Zjarrfikësit e Torontos përdorën tuba me presion të lartë dhe mjete të rënda për të shkatërruar një skulpturë të madhe prej akulli të reperit kanadez Drake, e cila kishte tërhequr qindra njerëz, duke ngritur shqetësime për sigurinë.
Zyrtarët thanë se ekipet u thirrën pasi instalimi filloi të shkrinte dhe të hidhte blloqe të mëdha akulli në rrugët dhe trotuaret përreth.
Uji që derdhej u mblodh përgjatë rrugës ndërsa zjarrfikësit punonin për të çmontuar pjesët e mbetura.
Gjithashtu, një ditë më parë, njerëzit po përpiqeshin të ngjiteshin dhe të thyenin vetë një skulpturë akulli për të zbuluar datën e publikimit të albumit të ri të Drake, ‘Iceman’, duke shkaktuar shqetësime për sigurinë në qytet.
Një person solli një çekiç dhe disa të tjerë sollën lëngje të ndezshme për të thyer akullin dhe për të zbuluar datën e publikimit të albumit të ri të Drake, i cili, sipas reperit, ishte vendosur në një skulpturë të madhe akulli.
U raportua se dikush gjeti një dosje blu brenda njërit prej blloqeve të akullit të martën pasdite që zbuloi se albumi do të publikohej më 15 maj.
Drake konfirmoi datën të martën në mbrëmje.
