Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka reaguar ndaj gjuhës së deputetit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci.
Një ditë më parë, nga foltorja e Kuvendit, deputeti Geci e ka fyer rëndë edhe nënkryetaren e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, duke përdorur gjuhë seksiste ndaj saj. ‘I ke bë 100 vjet, ke mbetë pa martu.
Gru e keqe’, dëgjohet deputeti Geci duke i thënë Çitakut.
Këtë gjuhë ndaj koleges së saj, e ka dënuar deputetja Musliu. ‘Sa herë më kanë ofenduar, më kanë paragjykuar, bullizuar e më kanë kërcënuar, asnjëherë nuk jam viktimizuar dhe nuk kam kërkuar mbështetje apo mbrojtje nga askush.
Ama kam reaguar fuqishëm dhe me zë të lartë kundër tendencës që sharjet, fyerjet e kërcënimet të bëhen normë, të bëhen standard në vendin tonë.
Edhe sot e dënoj ashpër gjuhën që u përdor ndaj Nënkryetares së Kuvendit, Vlora Çitaku.
Jo pse Vlora ndjehet e ofenduar as që ja ka frikën dikujt por për t’i treguar secilit që merr guximin të ofendojë, linçojë apo kërcënojë një grua, se rruga jonë është rrugë e trasuar nga gra që kanë sfiduar mentalitete, kanë thyer barriera kanë mposhtur armiq dhe nuk janë zmbrapsur asnjëherë para padrejtësisë nga kushdo që ka ardhë.’, ka shkruar Musliu.
Ajo ka thënë se kushdo që mendon se mund t’i heshtë me fyerje apo kërcënime, gabon rëndë. ‘Ne nuk tërhiqemi, nuk frikësohemi dhe nuk ndalemi.
Zëri ynë do të jetë gjithmonë më i fortë se çdo tentativë për ta shuar atë.’, ka thënë Musliu.
