Policia e Kosovës ka organizuar një operacion të madh në veri të vendit, ku ka zbuluar dhe sekuestruar armë, municion dhe mjete të tjera ilegale në Komunën e Zubin Potokut.
Në një shtëpi të pabanuar janë gjetur katër pushkë të ndryshme, 223 fishekë, tre radio-lidhje, një kamerë, uniforma ushtarake dhe pajisje për pastrimin e armëve.
Në një tjetër rast, është sekuestruar një pushkë pa leje dhe tre fishekë, ndërsa një person është shoqëruar në stacion policor për hetim.
Në një shtëpi tjetër janë gjetur një armë AK-47, tre karikatorë, 88 fishekë dhe një granatë dore M75 e prodhimit jugosllav.
Policisë gjithashtu i janë sekuestruar edhe armë të tjera si AK-47, pushkë M48 (e çmontuar), pushkë gjuetie, mekanizëm i armës së gjatë, bajonetë dhe uniforma ushtarake.
Veprimet janë kryer në bashkëpunim me prokurorin e Shtetit për veprën penale ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.
Hetimet për këto raste do të vazhdojnë.
