Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka mbajtur një mbledhje, ku u trajtua Projektkodi Civil, i cili pritet të dërgohet në Kuvend për miratim.
BIK-u njoftoi se gjatë diskutimeve për përgatitjen dhe planifikimin e aktiviteteve fetare, në mbledhjen e kryesuar nga myftiu Naim Tërnava, u përmend edhe Kodi Civil.
Ky kod kishte dështuar të miratohej në vitin 2022, për shkak të një neni që mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm për regjistrimin e “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë. “Pas një diskutimi të gjerë dhe gjithëpërfshirës, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës rikonfirmoi qëndrimin e saj të mëparshëm, duke shprehur mbështetje për miratimin e Kodit Civil, por vetëm pasi të rishikohen dhe të hiqen nga përmbajtja e tij dispozitat që cenojnë konceptin tradicional të familjes, natyrshmërinë njerëzore dhe parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar familja në shoqërinë tonë”, thuhet në një deklaratë.
BIK-u theksoi se kryesia e saj vlerëson se “çdo legjislacion që rregullon jetën familjare duhet të mbështetet në vlerat universale, parimet morale, traditën dhe besimin, duke respektuar njëkohësisht natyrën e krijimit të njeriut nga Zoti me dy gjini dhe konceptin e familjes së ndërtuar mbi bashkimin e burrit dhe gruas, si bazë themelore e vazhdimësisë dhe shëndetit të shoqërisë”. “Në këtë frymë, Bashkësia Islame e Kosovës rithekson se nuk është kundër miratimit të Kodit Civil si një nevojë e rëndësishme për sistemin juridik të vendit, por kundërshton përfshirjen e dispozitave që bien ndesh me bindjet e saj fetare, mësimet hyjnore, natyrshmërinë njerëzore dhe vlerat tradicionale të popullit tonë”, thuhet në deklaratë.
BIK-u i bëri thirrje Qeverisë dhe Kuvendit që t’i kenë parasysh shqetësimet e shprehura nga ta. “Me këtë rast, Kryesia e BI-së u bën thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse, në veçanti Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë dhe Kuvendit të Kosovës, që gjatë shqyrtimit të Projektkodit Civil të kenë parasysh shqetësimet e shprehura dhe të bëjnë rishikimin e dispozitave kontestuese, në mënyrë që Kodi Civil të jetë gjithëpërfshirës, të reflektojë vlerat dhe traditat e shoqërisë sonë dhe të mos cenojë parimet themelore fetare e morale”, thuhet në deklaratë.
Bashkësia Islame e Kosovës shprehu mbështetje për “një Kod Civil që garanton drejtësinë, mbron familjen, forcon vlerat morale dhe kontribuon në ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë, me dinjitet dhe përgjegjësi për brezat e ardhshëm”.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

