Ish-mbrojtësi dhe kapiteni i Interit, Andrea Ranocchia, në një intervistë për gazetën italiane Il Corriere della Sera, ka rikujtuar karrierën e tij, duke përmendur një dëmtim të rëndë dhe fitimin e kampionatit me klubin nga Milano.
Ranocchia ka ndarë momentet e tij më të mira dhe më të këqija gjatë kohës së tij te Interi. “Ishte një ëndërr për mua të transferohesha në Milano.
Një vit më parë, kisha këputur ligamentin krucial te Bari dhe humba Kupën e Botës 2010.
Te Interi, epoka e grupit fitues të tripletës po i vinte fundi, Moratti ishte larguar dhe trajnerët vazhdonin të ndryshonin”, ka thënë fillimisht Ranocchia.
Ai përshkroi me detaje periudhën e vështirë që kaloi. “Pati kaos, ndiheshim të pafuqishëm dhe të shkoja në stërvitje u bë një barrë.
E humba plotësisht vetëbesimin.
Pyesja veten nëse do të isha ndonjëherë në gjendje të luaja përsëri futboll, jo vetëm në Serie A, por në përgjithësi.
Nuk e njihja më veten”. “Meqenëse isha në klub për një kohë të gjatë, u bëra fajtori kryesor për rezultatet e këqija.
Dëgjova fishkëllima dhe fyerje në stadium, në rrugë, në rrjetet sociale.
Ishte e tmerrshme”.
Problemet në fushë u përhapën edhe në jetën e tij personale. “Humba qetësinë.
Nuk ndihesha mirë dhe nuk doja të dilja nga shtëpia.
Isha i dëshpëruar dhe apatik, nuk ndieja më asgjë dhe gjithçka humbi kuptimin e saj.
Depresioni ndikoi edhe në lojërat e mia.
Në tunelin e San Siros, pak para se të dilja para tifozëve, më dridheshin këmbët”.
Ai u prek veçanërisht nga heqja e shiriti të kapitenit. “Si e mora vesh që më ishte hequr shiriti i krahut?
Në ndeshjen e parë miqësore.
Kur hyra në dhomën e zhveshjes, pashë që shiriti i krahut nuk ishte në fanellën time, por në atë të Icardit”.
Rimëkëmbja dhe mbështetje nga trajneri Rimëkëmbja e Ranocchias filloi me kërkimin e ndihmës profesionale. “Kërkova ndihmë jashtë klubit, fillova të punoja me një psikolog dhe pranova dobësinë time pa gjykim.
Përvoja jashtë vendit më ndihmoi shumë gjithashtu”. “Fillova ta përjetoja përsëri futbollin siç bëja kur isha fëmijë, si një pasion të pastër, dhe mendoja vetëm për lojën.
Përveç kësaj, nuk dija anglisht, kështu që nuk e kuptoja çfarë më thoshin njerëzit”, tha ai duke qeshur.
Pas kthimit te Interi, trajneri i atëhershëm Luciano Spalletti luajti gjithashtu një rol të rëndësishëm. “Gjatë stërvitjes, një tifoz më fyeu dhe Luciano menjëherë u turr drejt tij për t’u kundërpërgjigjur.
Për fat të mirë, kishte një gardh midis tyre.
Do t’i jem gjithmonë mirënjohës për këtë”.

