Burg përjetë për Jeton dhe Nexhat Vllasaliun për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi në Kosovë

Gjykata e Apelit e Kosovës ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Jeton Vllasaliut dhe Nexhat Vllasaliut për vrasjen e rëndë të biznesmenit Bedri Rexhepi, duke refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes.

Apeli ka lënë në fuqi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të 28 majit 2025, me të cilin dy të akuzuarit ishin shpallur fajtorë dhe dënuar me burgim të përjetshëm për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Dëmtim i varreve apo kufomave”, të kryera në bashkëkryerje.

Gjykata e Apelit kishte shqyrtuar ankesat e mbrojtjes së Jeton dhe Nexhat Vllasaliut, me kërkesë për ndryshim ose rigjykim të rastit, ndërsa pala e dëmtuar kërkoi lënien në fuqi të dënimit me burgim të përjetshëm për vrasjen e Bedri Rexhepit.


- Advertisement -

Gjykata Themelore në Prishtinë më 28 maj 2025 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas vendimit, kolegji gjykues ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë nuk ka bërë shkelje esenciale të procedurës penale dhe se ka vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë gjendjen faktike, duke u mbështetur në prova personale dhe materiale.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se dënimi me burgim të përjetshëm është i drejtë dhe i domosdoshëm, duke theksuar se me këtë masë arrihet qëllimi i ndëshkimit, përfshirë parandalimin e veprave penale dhe forcimin e respektimit të ligjit.

Në këtë mënyrë, vendimi ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut për rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit bëhet përfundimtar në shkallë të dytë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1.6 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Në aktakuzë thuhet se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.

Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.


- Advertisement -