Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka kërkuar në Kuvend trajtim institucional për dy çështje që, sipas tij, prekin komunitetin egjiptian në vend.
Ai ka theksuar se institucionet kompetente duhet të marrin masa konkrete dhe të koordinohen për adresimin e tyre. ‘Do flas për dy çështje që lidhen me komunitetin tim egjiptian dhe besoj se janë disa prej ministrive kompetente për çështjet që do të flas, dhe do marrin shënim dhe bashkërisht do të marrin vendime konkrete. Çështja e parë ka të bëjë me paraqitjen e fëmijëve në rrugë.
Për mua është dukuria më e rëndë që ndodh para syve tanë dhe çdo ditë ballafaqohemi me të, dhe nuk ka asnjë veprim institucional për me ndalë këtë veprimtari, që në të vërtetë me ardhje vjen për shkak të gjendjes ekonomike.
Dhe çështja e dytë është ajo që ne ndoshta si komunitet e përjetojmë më së shumti, shprehjet raciste kundër nesh në institucione, në TV, në rrugë, kudo që ne sillemi.
Dëgjojmë që përdoren terma që ne nuk na bëjnë të ndihemi mirë.
Normalisht ka bazë ligjore, është vepër penale nxitja e urrejtjes ndëretnike, por mendoj se nuk është e mjaftueshme,’ tha ai.
