Në nëntor të vitit 2023, Isni Kilaj u dërgua për herë të parë nga Kosova në Holandë.
Pas një procesi gjyqësor që zgjati gati tri vite në Hagë, të gjitha akuzat që rëndonin mbi të për pengimin e drejtësisë ranë poshtë, kur Kilaj u shpall i pafajshëm të martën.
Bashkë me të, në paraburgim qëndruan edhe Bashkim Smakaj e Fadil Fazliu, të cilët gjithashtu përfunduan vuajtjen e dënimit për rastin e njëjtë.
Të gjithë këta individë kanë qëndruar disa muaj më shumë në paraburgim se sa dënimi i shqiptuar ndaj tyre.
Njohësit e ligjit në Kosovë thonë se ata mund të kërkojnë kompensim financiar. “Nëse shohim kohën kur është caktuar paraburgimi i z.Smakaj, ai rezulton të jetë 67 ditë më shumë se sa që i është caktuar dënimi dhe për këto 67 ditë ai e ka të drejtën të kërkojë kompensim.
Z.Fazliu gjithashtu ka qëndruar 67 ditë dhe ai mund të ndjekë të njëjtën procedurë.
Për z.Kilaj nuk ka çfarë të argumentohet sepse kemi akt shpalljen, i cili nga fillimi ka qëndruar 565 ditë në paraburgim, dhe për të gjitha këto ditë do të duhej të kompensohet,” vlerëson juristi Anton Nrecaj.
Edhe sipas avokatit Valdet Hoxha, Kilaj, Smakaj e Fazliu mund të kërkojnë kompensim financiar, por jo në të njëjtën masë. “Në rastin e z.Kilaj, ai mund të kompensohet për gjithë periudhën e kaluar nën masën e paraburgimit sepse ndaj tij ka aktgjykim lirues.
Ndërsa tre të tjerët, të cilët janë dënuar me më pak se koha e qëndrimit nën masën e paraburgimit, kanë të drejtë të kërkojnë kompensim financiar nga Dhomat e Specializuara për periudhën shtesë,” thotë avokati Hoxha.
Sa i përket shumës që ata mund të marrin për një ditë të kaluar në paraburgim më shumë se sa dënimi i caktuar, Ndrecaj shprehet: “Sipas standardeve të përcaktuara me kornizën ligjore të aplikueshme në vend, një person ka të drejtë të kërkojë kompensim prej 25 eurosh për një ditë.
Megjithatë, për rastin konkret, pasi personat që kanë të drejtë, z.Smakaj, z.Kilaj dhe z.Fazliu, kanë qëndruar në paraburgim jashtë territorit të Kosovës, ata mund të kërkojnë kompensim shumë më të lartë.” Për dallim nga Kilaj, Smakaj dhe Fazliu u dënuan me 12 muaj burgim për rastin e pengimit të drejtësisë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

