Përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar 33 futbollistë të ndryshëm në kompeticionin e Ligës së Kombeve, ndërsa vetëm katër prej tyre nuk patën mundësinë për të luajtur. ‘Dardanët’ e përfunduan ciklin e Ligës së Kombeve në vendin e tretë, pas Austrisë dhe Irlandës, duke siguruar njëkohësisht qëndrimin në Ligën B.
Gjatë këtyre gjashtë ndeshjeve, Foda e shfrytëzoi këtë kompeticion për t’u ofruar mundësi lojtarëve që të tregojnë vetën, ku nga 33 futbollistë, 29 prej tyre u paraqitën në fushë.
Portieri Visar Bekaj, mbrojtësit Leard Sadriu e Betim Fazliji, si dhe sulmuesi i ri Enis Rexhepi nuk zhvilluan asnjë minutë.
Rasti i Rexhepit është për shkak se FIFA nuk ia aprovoi dokumentacionin me kohë.
Sa i përket minutazhës, Mërgim Vojvoda dhe Ilir Krasniqi ishin të padiskutueshëm në të gjitha ndeshjet, duke luajtur secilin minutë të mundshme (540 minuta gjithsej).
Leon Avdullahu (481 minuta), Dion Gallapeni (481 minuta), dhe Fisnik Asllani (237 minuta) gjithashtu luajtën, por Foda herë pas here i zëvendësoi, sidomos Asllanin, i cili shpesh hynte nga stoli.
Befasia më e madhe ishte se Amir Shaipi zhvilloi më shumë minuta (295) se Aro Muric (245), duke lënë hapur mundësinë që portieri i Castillas të jetë zgjedhja e parë në të ardhmen.
Në këto kualifikuese, kishte edhe katër debutues.
Erblin Osmani dhe Dion Kacuri debutuan në shtator, ndërsa Lindrit Kamberi dhe Bleon Kurtulus në nëntor.
Osmani luajti vetëm një ndeshje, atë në shtëpi ndaj Irlandës, ndërsa Kacuri ishte titullar me Izraelin dhe u inkuadrua dy herë nga stoli.
Kamberi ishte i padiskutueshëm në dy ndeshje të plota në nëntor, kurse Kurtulus debutoi në minutën e 90-të në humbjen 3-0 nga Irlanda.
Tani, çfarë vjen më pas për Kosovën?
Më 6 dhjetor, Kosova do të mësojë kundërshtarët për kualifikueset e Kampionatit Evropian ‘Euro 2028’, duke pasur një vend në vazon e tretë.
Në rast se Kosova bie në grup me pesë kombëtare, kualifikueset do të fillojnë në marsin e vitit 2027, ndërsa për katër kombëtare, do të nisin në shtator.
Më e rëndësishmja është që Kosova nuk do të luajë me Shqipërinë në të njëjtin grup kualifikues.

