Spitali i kantonit Valis në Zvicër ka shkaktuar debate me një iniciativë të re për të nxitur punonjësit që të vaksinohen kundër gripit sezonal.
Në kuadër të kësaj fushate, spitali ofron pesë javë shtesë pushimi me pagesë për pesë punonjës që do të zgjidhen përmes një shorti.
Fushata e vaksinimit do të zhvillohet nga 11 nëntori deri më 23 dhjetor dhe synon të rrisë shkallën e vaksinimit mes stafit, e cila aktualisht konsiderohet e pamjaftueshme sipas drejtuesve të institucionit, sipas 20Minuten.
Sipas spitalit, vetëm 15% e punonjësve janë vaksinuar, ndërsa objekti është arritja e nivelit prej 60% për të kufizuar përhapjen e virusit te pacientët dhe personeli.
Megjithatë, kjo iniciativë ka shkaktuar pakënaqësi te disa punonjës, të cilët e shohin këtë si presion dhe një praktikë joetike.
Ata theksojnë se stafi përballet me mbingarkesë në punë, mungesë personeli dhe vështirësi për të shfrytëzuar ditët e zakonshme të pushimit.
Edhe sindikatat kanë reaguar kundër kësaj metode, duke vlerësuar se spitali duhet të përqendrohet në përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurimin e më shumë burimeve për punonjësit, në vend që vaksinimin ta lidhë me një shpërblim.

