Ushtria izraelite ka nisur një operacion të ri ushtarak në qendër të Rripit të Gazës, me qëllim goditjen e asaj që ata e quajnë infrastrukturë terroriste dhe për të kontrolluar zonat përgjatë rrugës kryesore që lidh veriun me jugun e enklavës palestineze.
Operacioni po zhvillohet në tri zona afër kampeve të refugjatëve Bureij dhe Nuseirat, ndërsa ushtria izraelite ka mbyllur disa segmente të rrugës Salah al-Din, një nga arteriet kryesore të qarkullimit në Gaza.
Përmes një njoftimi, organi izraelit për koordinimin e aktiviteteve në territoret palestineze (COGAT) njoftoi se operacioni është fokusuar pranë të ashtuquajturës Vija e Verdhë, kufiri deri ku janë tërhequr forcat izraelite sipas marrëveshjes së armëpushimit, e cila hyri në fuqi më 10 tetor 2025.
Autoritetet izraelite u kanë bërë thirrje banorëve të mos i afrohen zonave ku po zhvillohet operacioni, ndërsa nuk janë dhënë hollësi për kohëzgjatjen e tij.
Ndërkohë, raportimet nga terreni tregojnë se tanket izraelite po i afrohen rrugës Salah al-Din, mbyllja e së cilës mund të vështirësojë lëvizjen ndërmjet pjesës veriore dhe asaj jugore të Rripit të Gazës.

