Tragjedi në Londër: 19-vjeçari shqiptar viktima e aksidentit të pamëshirshëm në kantier ndërtimi

Një 19-vjeçar shqiptar ka humbur jetën pasi ka rënë në një bosht ventilimi në një aksident të cilësuar si “plotësisht i shmangshëm” në një kantier ndërtimi në Acton, Londër.

Viktima, Renols Lleshi, po ndihmonte në çmontimin e skelave në kopshtin e çatisë në katin e 12-të të një pallati në ndërtim, në zonën e Ark Soane Academy në Mill Hill Road.

Sipas hetimeve, teksa ai shkeli mbi një bosht ventilimi, mbulesa e tij u shemb, duke e bërë të binte gjashtë kate poshtë, çka i shkaktoi vdekjen.


- Advertisement -

Autoriteti britanik për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë (HSE) konstatoi se hapësira ishte mbuluar vetëm me një fletë kartoni gipsi dhe shkumë çatie, masa këto të pamjaftueshme sigurie.

Po ashtu, u zbulua se inspektimet rutinë të objektit nuk përfshinin zonën e kopshtit të çatisë, duke bërë që rreziku të mos identifikohej dhe asnjë paralajmërim të mos i jepej ekipit të skelave.

Familja e të ndjerit deklaruan se fakti që vdekja e tij ishte plotësisht e shmangshme e bën humbjen edhe më të rëndë për ta.

Babai i tij u shpreh se, megjithëse janë mirënjohës për hetimin dhe ndjekjen penale të përgjegjësve, asgjë nuk mund ta rikthejë djalin e tyre apo të lehtësojë dhimbjen.

Kompania e ndërtimit ‘Jerram Falkus Construction Limited’, punëdhënësi i viktimës, pranoi shkeljen e rregullave për punën në lartësi dhe u gjobit me 42,200 paund, si dhe u detyrua të paguajë 2,000 paund shtesë dhe 5,000 paund shpenzime gjyqësore nga Gjykata e Magjistraturës së City of London.


- Advertisement -