Pas më shumë se dy vjetësh pa ndihmën e lobistëve në Shtetet e Bashkuara, këtë muaj, Kosova ka arritur një marrëveshje me kompaninë amerikane Ballard Partners për të përfaqësuar interesat e saj në Uashington.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka nënshkruar një kontratë me këtë kompani, e cila do të ofrojë këshillim strategjik dhe shërbime lidhur me marrëdhëniet me institucionet qeveritare amerikane.
Kjo është bërë e ditur përmes një dokumenti të regjistruar në Departamentin amerikan të Drejtësisë, në kuadër të Aktit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA).
Kontrata është dorëzuar në FARA më 13 nëntor dhe ka hyrë në fuqi më 15 nëntor 2026, për një periudhë njëvjeçare.
Sipas marrëveshjes, Kosova do të paguajë 50 mijë dollarë në muaj kompanisë, që do të thotë se gjithsej do të shpenzojë 600.000 dollarë për një vit.
Kësaj shume i shtohen edhe shpenzimet e arsyeshme të udhëtimit dhe përfaqësimit, të cilat duhet të miratohen paraprakisht nga MPJD-ja.
Pagesat do të bëhen në këste tremujore prej 150.000 dollarësh.
Të njëjtën kompani e kishte angazhuar edhe zyra e Presidencës në vitin 2017, në kohën kur president ishte Hashim Thaçi.
Në kontratën e nënshkruar nga ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, dhe presidenti i kompanisë, Brian Ballard, thuhet se Ballard Partners do të këshillojë dhe përfaqësojë Kosovën lidhur me çështje që i konsideron të nevojshme për t’u trajtuar pranë Qeverisë federale amerikane.
Dokumenti i regjistruar në FARA përmend lobimin dhe avokimin, përgatitjen dhe shpërndarjen e materialeve informative, si dhe diskutimin e mundësive të reja të bashkëpunimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.
Megjithatë, kontrata nuk specifikon objektiva konkrete politike për të cilat kompania do të angazhohet në emër të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për më shumë informacione, por nuk ka marrë ende përgjigje.
Kjo Ministri kishte lidhur kontratat e fundit të lobimit në SHBA në vitin 2023, kur udhëhiqej nga Donika Gërvalla, aktualisht ministre e Drejtësisë.
Kosova nuk ka pasur kontrata lobimi që nga viti 2024.
Në qershor të vitit 2023, MPJD kishte angazhuar dy kompani për lobim në SHBA: Afërdita Rakipi Communications LLC, në pronësi të Afërdita Rakipit, dhe Ambal LLC, në pronësi të Avni Mustafajt.
Sipas kontratave të nënshkruara më 26 qershor 2023, të dyja kompanitë u angazhuan për nga një vit, me synimin e deklaruar për “avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës”.
Secila parashihej të paguhej nga 147 mijë euro, pra gjithsej 294 mijë euro.
Përveç pagesave të kontratës, ata kishin deklaruar edhe shpenzime shtesë, kryesisht për ushqim dhe udhëtime.
Një pjesë e madhe e takimeve të deklaruara ishin zhvilluar në restorante në Prishtinë, ndonëse kontrata parashihte këshilla strategjike dhe përfaqësim të MPJD-së në SHBA.
Të dhënat e publikuara në FARA tregojnë se, nga korriku 2023 deri në janar 2024, Rakipi kishte deklaruar dy kontakte, ndërsa Mustafaj katër.
Në disa raste, të dy kishin raportuar takime me të njëjtët zyrtarë amerikanë në të njëjtën datë.
Kontratat përfunduan në fund të qershorit 2024 dhe nuk u vazhduan.
Që nga atëherë, Kosova nuk ka pasur asnjë lobist në SHBA, ndërkohë që vendet e rajonit kanë nënshkruar disa të tilla.
Angazhimi i rajonit për lobim në SHBA është i dukshëm, me vende si Serbia që kanë zgjeruar angazhimin e saj aty përmes disa kontratave aktive me kompani amerikane.
Ndërsa, Republika Sërpska, entitet i Bosnje e Hercegovinës, ka rritur ndjeshëm shpenzimet për lobim në SHBA në vitet e fundit.
Mali i Zi gjithashtu ka dy kontrata aktive, të dyja të nënshkruara në muajt e fundit të këtij viti.
Nga ana tjetër, nga institucionet shtetërore të Shqipërisë nuk figuron asnjë kontratë aktive lobimi.
Ndërkohë, Kosova ka nevojë për lobim në SHBA për shkak të rolit amerikan në sigurinë e vendit dhe në proceset ndërkombëtare që e prekin.
Analistja politike Donika Emini ka theksuar se Kosova nuk mund të mbështetet vetëm në diplomacinë konvencionale, duke e përmendur se mungesa e një pranie aktive të Kosovës rrezikonte ta linte vendin në hije. “Uashingtoni nuk është një vend ku vlerësohesh vetëm për vullnetin e mirë; është një fushëbetejë e influencës, ku lobimi, partneritetet strategjike dhe aftësia diplomatike përcaktojnë se kush zë vend në tavolinë”, kishte thënë Emini.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

