Incident në shkollën “Pavarësia”: Mësimdhënësi ndalohet për 48 orë pas ushtrimit të dhunës ndaj nxënësit

Një incident i rëndë është shënuar në shkollën fillore “Pavarësia” në kryeqytet, ku një mësimdhënës dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një nxënësi. Si pasojë e këtij rasti, autoritetet kompetente kanë ndërmarrë masa të menjëhershme, duke e ndaluar mësimdhënësin për një periudhë prej 48 orësh.

Lidhur me rastin, nga Prokuroria e Prishtinës është bërë e ditur se procedurat ligjore tashmë kanë nisur dhe se po mblidhen provat e nevojshme për zbardhjen e plotë të ngjarjes. “48 orë është ndaluar, dhe po ndërmerren hapat e nevojshëm për rastin në shkollën ‘Pavarësia’”- ka njoftuar ajo.

Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta, veçanërisht pas publikimit të një videoje ku shihet qartë momenti kur mësimdhënësi e godet nxënësin brenda ambienteve të shkollës. Pamjet kanë shkaktuar shqetësim të madh në opinionin publik dhe kanë rihapur diskutimin për sigurinë e nxënësve dhe përgjegjësinë e institucioneve arsimore.


- Advertisement -

Autoritetet kanë theksuar se rasti do të trajtohet me prioritet dhe se çdo veprim do të ndërmerret në përputhje me ligjin, me qëllim të mbrojtjes së nxënësve dhe garantimit të një mjedisi të sigurt në shkolla.


- Advertisement -