Edhe 27 vite pas luftës në Kosovë, ka persona që arrestohen si të dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës.
Vonesat në hetimin dhe ndjekjen e këtyre krimeve, konsiderohet se vijnë nga ndërrimi i institucioneve që kishin kompetencë ndjekjen e krimeve të luftës.
Vitet 98-99 ishin të kobshme për shqiptarët.
Masakra e vrasje të civilëve u bënë në pothuajse në gjithë territorin e Kosovës. 27 vite pas, vazhdojnë të arrestohen persona si të dyshuar për përfshirje në këto krime.
Këto vonesa në trajtimin e krimeve serbe, monitoruesit ia atribuojnë ndërrimit të kompetencave nga një institucion në tjetrin për ndjekjen e këtyre krimeve. “Hetues të Tribunalit të Hagës, nga Prokuroria e Tribunalit të Hagës, janë hetuar nga hetues të UNMIK-ut, nga hetues të EULEX-it, tanimë nga viti 2018 kanë filluar të hetohen nga institucionet vendore, Prokuroria Speciale.
Pra, asnjëherë nuk është ndalur hetimi i krimeve të luftës.
Por, rezultatet nuk janë aq të kënaqshme, për shkak të klimës politike, për shkak të mosbashkëpunimit mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë”, deklaroi Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
Rol të rëndësishëm në kapjen e kryerësve të krimeve, konsiderohet se kanë edhe qytetarët. “Deri në vitin 2018 kjo ka qenë përgjegjësi e institucioneve ndërkombëtare prezente në Kosovë.
Megjithatë, kjo po dëshmon se Prokuroria e Kosovës, institucionet tona të drejtësisë po veprojnë dhe po shpresoj se kanë siguruar prova të mjaftueshme në këtë drejtim.
Qytetarët e vendit duhet me bashkëpunu me institucionet tona të drejtësisë, sepse vetëm kështu mund të jenë kontribues të zbardhjes së të vërtetës”, deklaroi avokati Ardian Bajraktari.
Punë me rezultate vlerësohet se po tregon Prokuroria Speciale, që nga koha kur ajo ka marrë kompetencat për hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës në Kosovë. “Po shihet në kohën e fundit se është një iniciativë më e madhe e institucioneve të Republikës së Kosovës, institucioneve të drejtësisë m’i hetu këto krime dhe m’i qit para drejtësisë do të thotë kryerësit e këtyre krimeve.
Kështu që, po shihet se kanë ndërmarrë hapa më serioz dhe më të shpejtë për kapjen e kriminelëve të cilët kanë kryer masakra në Kosovë”, tha Xhevdet Qeriqi nga Shoqata e Invalidëve të Luftës.
Së fundi, u arrestuan pesë persona si të dyshuar për masakrën e Reçakut.
Shumica nga ta që prej pasluftës jetonin në Kosovë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri.info





