Bursat botërore po përballen me një rënie të theksuar, duke humbur pothuajse nëntë trilion dollarë nga vlera e tregut të aksioneve që nga kulmi i arritur në gusht.
Shitjet masive të aksioneve po nxiten nga dyshime gjithnjë e më të mëdha për qëndrueshmërinë e investimeve të mëdha në inteligjencën artificiale (AI), si dhe nga pritjet për rritje të mëtejshme të normave të interesit në Shtetet e Bashkuara.
Tregjet aziatike janë goditur veçanërisht rëndë, duke regjistruar javën më të keqe që nga viti 2020, sipas raporteve.
Aksionet në Tajvan kanë humbur rreth 17 për qind të vlerës së tyre brenda vetëm pesë ditësh, duke shënuar rënien më të madhe javore që nga fillimi i viteve 1990.
Sipas të dhënave nga LSEG, tregu tajvanez ka humbur rreth 1.12 trilion dollarë nga kapitalizimi i tij, krahasuar me nivelin rekord të arritur më 6 tetor.
Indeksi japonez Nikkei ra të premten për më shumë se katër për qind, ndërsa indeksi koreano-jugor KOSPI humbi mbi katër për qind të vlerës.
Valë e shitjeve përfshiu edhe bursat evropiane, me indeksi pan-evropian STOXX 600 duke shënuar një rënie prej 1.5 për qind gjatë orëve të paradites.
Rënie të fuqishme u regjistruan edhe në Wall Street, ku indeksi amerikan S&P 500 humbi dy për qind të enjten, duke shënuar ditën e gjashtë radhazi në rënie, serinë më të gjatë të këtij lloji që nga viti 2024.
Dow Jones ra me 1.101 pikë, përkatësisht 2.2 për qind, ndërsa indeksi teknologjik Nasdaq humbi 2.3 për qind.

