Qeveria gjermane ka miratuar një projektligj që lehtëson kontratat e punës me afat të caktuar, duke ofruar mundësinë për punësimin e punëtorëve deri në katër vjet, pa pasur nevojë për një arsye të veçantë.
Sipas këtij projektligji, i miratuar nga kabineti më 18 nëntor, afati maksimal për këto kontrata do të dyfishohet nga dy në katër vjet.
Gjatë kësaj periudhe, kontrata mund të rinovohet deri në gjashtë herë, krahasuar me tri herë që lejohet aktualisht.
Rregullat e reja do të jenë në fuqi për punësimet deri më 31 dhjetor 2030 dhe kanë për qëllim t’u japin kompanive më shumë fleksibilitet gjatë sfidave ekonomike.
Këto ndryshime pritet të ndikojnë veçanërisht te të rinjtë dhe ata që hyjnë për herë të parë në tregun e punës, të cilët shpesh punësohen me kontrata afatshkurtra.
Ministri gjerman i Punës, Alexander Schweitzer, theksoi se qëllimi i reformës është ruajtja e vendeve ekzistuese të punës, krijimi i mundësive për punësime të reja, si dhe ofrimi i kushteve për vende pune të orientuara drejt së ardhmes.
Projektligji gjithashtu parashikon lehtësimin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës për ata me të ardhura vjetore mbi 180 mijë euro, përmes pagesës së kompensimit financiar, me këto ndryshime që do të zbatohen 12 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit.
Pakoja përmban gjithashtu zgjerimin e mundësive për punë të dielave dhe gjatë festave zyrtare për furrat e bukës, pastiçeritë dhe bibliotekat publike, si dhe forcimin e të drejtave të përfaqësimit të punëtorëve në ndërmarrjet e mëdha.

