Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njofton se javën e kaluar është mbajtur një takim koordinues me Policinë e Kosovës dhe operatorët ekonomikë që janë përgjegjës për mirëmbajtjen e rrugëve.
Ky takim bëhet në kuadër të përgatitjeve për sezonin dimëror.
Gjatë këtij takimi, u diskutua për gatishmërinë e ekipeve në terren, gjendjen e makinerive për pastrimin e borës dhe sigurimin e sasive të nevojshme të kripës për trajtimin e ngricave. “Rrugët i mirëmbajmë gjatë gjithë vitit, duke i përshtatur ndërhyrjet me kushtet e secilit sezon.
Kujdesi i drejtuesve të automjeteve ndihmon në parandalimin e aksidenteve, sidomos kur ka borë e ngrica”, thuhet në njoftim.
Ministria gjithashtu ua rikujton të gjithë drejtuesve të automjeteve se pajisjet dimërore janë të detyrueshme nga 15 nëntori deri më 15 mars. “Para nisjes, kontrolloni gjendjen e gomave dhe gjatë udhëtimit përshtateni shpejtësinë me kushtet e rrugës”, thuhet ndër tjera.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

