Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka shprehur kritika ndaj projektbuxhetit për vitin 2027, duke theksuar se politikat e Qeverisë janë shumë të orientuara në ndihma sociale.
Sipas tij, vendi ka nevojë për investime që do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, ku po shqyrtohet ky projektbuxhet, Abdixhiku theksoi se ndihmat financiare janë të nevojshme për qytetarët, por nuk mund të shërbejnë si një zgjidhje afatgjatë për problemet ekonomike të vendit.
Ai theksoi se rritja e çmimeve dhe inflacioni po e rëndojnë gjendjen e familjeve kosovare, ndërsa mungesa e investimeve pengon përmirësimin e mirëqenies së tyre. “Një buxhet që premton paga më të larta, shtesa për fëmijë, nevoja e njerëzve është e madhe, çdo ndihmë pritet me shpresë dhe rrethanat e tanishme kjo ndihmë është e vetmja.
Shihni inflacionin e këtij viti, pastaj tregoni një familjes kosovare që pret ndihmat e shtetit, sesi mjet vetëm ndihmese i këtyre ndihmave është edhe burimi i problemeve tyre.
Prandaj, e kuptoj vështirësinë e një teme si kjo në sy të publikut.
Kjo e vërtetë na thotë qartë se me shtet social, me ndihma, pa investime nuk kemi për të pasur asnjëherë jetë të mirë në Kosovë, do vazhdojmë të mbesin të fundit në Evropë kështu,” tha Abdixhiku.
Ai paralajmëroi se mbështetja e vazhdueshme në ndihma financiare, pa investime të mjaftueshme, mund të krijojë një cikël të rritjes së çmimeve dhe nevojës për mbështetje të mëtejshme nga shteti.
Abdixhiku kërkoi që Qeveria t’u japë përparësi investimeve në sektorët strategjikë, veçanërisht në energji dhe infrastrukturë, duke theksuar se vendi ka nevojë për projekte të mëdha zhvillimore. “Do na rriten më shumë çmimet, do kemi nevojë për më shumë ndihma për këto çmime, e këto ndihma do të rrisin përsëri çmimet.
Dhe në gjithë këtë spirale ekonomike do të mbesim pa gjënë e vetme, pa investime.
Mund të bëhen dyja edhe ndihmat edhe investimet, por më shumë investime sesa ndihma.
Kjo duhet të jetë politika e vendit më të varfër në Evropë.
Nuk ka sektorë që nuk ka nevojë për investime drastike.
Duhet të kemi investime në energji, po blejmë rrymë.
Mundemi të ndërtojmë centrale të reja.
Duhet të ketë investime në infrastrukturë, në rrugë.
Marre e madhe për besë që ende flasim për asfalt, vetëm rrugë duhet me shtrua,” tha ai.
Sidoqoftë, projektbuxheti për vitin 2027, i prezantuar nga kryeministri Albin Kurti, parasheh 4,27 miliardë euro.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

