Një gjykatë në Turqi shpalli të enjten se diploma universitare e Ekrem Imamoglu, kryetarit të burgosur të bashkisë së Stambollit, është e pavlefshme, duke e penguar atë të garojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
Imamoglu, i njohur si një nga kundërshtarët më të fortë të Presidentit Recep Tayyip Erdogan, u arrestua në mars të vitit 2025 nën akuza për korrupsion, të cilat partia e tij, Partia Popullore Republikane (CHP), i sheh si të motivuara politikisht.
Ligji turk kërkon që kandidatët për president të kenë një diplomë universitare të vlefshme.
Vendimi i Këshillit Shtetëror për të hedhur poshtë ankesën e Imamoglut lidhur me diplomën e tij, paraqet pengesën përfundimtare ligjore për të.
Ai u zgjodh kryetar i bashkisë së Stambollit në vitin 2019, duke mundur kandidatin e preferuar të Erdoganit, dhe më vonë, CHP-ja e propozoi si kandidat për president.
Arrestimi i tij më 19 mars 2025, nën akuza të shumta për korrupsion, shkaktoi protesta të mëdha.
Kritikët e shohin këtë veprim si një përpjekje për të eliminuar një nga rivalët kryesorë politikë të Erdoganit.
Një ditë para arrestimit, Universiteti i Stambollit anuloi diplomën e Imamoglut, duke pretenduar se ajo ishte fituar në mënyrë të paligjshme (përmes mashtrimit).

