Besian Kutleshi ka qenë një nga figurat kryesore të Australisë në fitoren 2-0 ndaj Argjentinës, në ndeshjen e parë të fazës grupore të Kupës së Botës U17.
Futbollisti me origjinë nga Kosova ishte kapiten i Australisë në këtë përballje, e cila u zhvillua në Doha të Katarit, dhe qëndroi në fushë deri në minutën e 81-të.
Kutleshi konsiderohet si një nga talente më premtuese të futbollit australian.
Ai mund të luajë në disa pozita në repartin defensiv, por në ndeshjen ndaj Argjentinës u aktivizua në mesfushë, duke udhëhequr skuadrën si kapiten.
Në nivelin e seniorëve, 17-vjeçari ka mundësinë të përfaqësojë Kosovën ose Shqipërinë.
Në gusht të vitit 2024, ai u bë futbollisti më i ri që debutoi për ekipin e parë të Western Unitedit, pasi nënshkroi kontratën e tij të parë profesionale në moshën 15-vjeçare.
Një vit më vonë, si 16-vjeçar, Kutleshi luajti edhe në Ligën e Kampionëve të Azisë me Melbourne Cityn, klub ku aktivizohet aktualisht.

