Pas përplasjes në Kuvend mes kryeministrit Albin Kurti dhe deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, ku u tha se gjyqin ia bëjnë qytetarët, kjo e fundit reagoi përmes një postimi në Facebook.
Bajrami theksoi se ishte vetë Kurti ai që u bënte gjyqin kundërshtarëve politikë, madje duke i cilësuar ata si “kriminelë”.
Sipas saj, ai tani vazhdon të merret me të kaluarën, në vend që të kryejë punët për të cilat është zgjedhur. “Ky për dhjetë vjet sa ka qenë në opozitë, s’ka lanë kujt pa ia ba gjyqin.
Madje, jo vetëm gjyqin, por merrke edhe vendime: i shpallke njerëzit hajna, vrasës e kriminelë.
Qe gjashtë vjet në pushtet, ka mbetë tu folë për të kalumen, në vend se me kry punët për të cilat është zgjedhë”, shkroi Bajrami.
Ajo shtoi se tani, në opozitë, do të vazhdojë t’ia demantojë propagandën Kurtit, duke theksuar se për këtë e kanë votuar qytetarët.
Në reagimin e saj, Bajrami përmendi edhe ndihmën prej 100 eurove që Qeveria kishte shpërndarë për qytetarët. “Për dallim prej tij, unë kur kam qenë në qeveri kam punu, e në opozitë kam me vazhdu me ia ba demantin propagandës së tij, derisa t’i ndërrojmë pozicionet.
Në tri palë zgjedhjet e fundit, qytetarët pikërisht për këtë më kanë votu, ani pse asnjërit prej tyre s’i ka shku SMS që ja kam qitë 100 euro në konto në kohë zgjedhjesh”, shkroi ajo.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

