Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar një takim në Bruksel me eurodeputetin kroat Davor Ivo Stier, ku kanë diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, si dhe për rrugën evropiane të Kosovës.
Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, theksoi se miqësia ndërmjet dy vendeve ka një histori të gjatë dhe se mbështetja e Kroacisë për Kosovën është e pranishme edhe gjatë këtij takimi.
Ajo e falënderoi Stierin për përkrahjen e tij të vazhdueshme ndaj Kosovës, fillimisht si ministër i Jashtëm i Kroacisë dhe tani si bashkëkryesues i Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë.
Kryetarja e Kuvendit po ashtu njoftoi se Kuvendi i Kosovës ka formuar delegacionin e tij në këtë komision dhe është i gatshëm që takimi i ardhshëm të mbahet sa më shpejt.
Duke rikujtuar lidhjet historike ndërmjet dy popujve, ajo përmendi mbështetjen e shqiptarëve për Kroacinë gjatë luftës së saj, duke thënë: “Shumë shqiptarë qëndruan përkrah Kroacisë gjatë luftës së saj, ndërsa Kroacia ishte ndër vendet e para të rajonit që e njohën pavarësinë e Kosovës.
Këto lidhje i forcon edhe komuniteti i arbëneshëve të Zarës, që jeton në Kroaci prej shekujsh.” Gjatë takimit, Haxhiu gjithashtu diskutoi për procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Ajo theksoi se në dhjetor bëhen katër vjet nga aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe ritheksoi përkushtimin për përmbushjen e detyrimeve që dalin nga ky proces.
Haxhiu kërkoi gjithashtu mbështetje nga eurodeputeti kroat për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke përfunduar me fjalët: “Me miq si Kroacia, rruga jonë evropiane bëhet më e lehtë.” Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
