Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër një seancë plenare, që fillon në orën 11:00, ku do të shqyrtohen disa projektligje dhe çështje të tjera të rëndësishme parlamentare.
Një nga pikat më të rëndësishme në rendin e ditës është shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027, si dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Efiçiencë të Energjisë.
Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, ndërsa pritet të procedohen edhe nismat legjislative të qytetarëve për hartimin e projektligjeve nga Kuvendi.
Në rend dite është edhe zgjedhja e dy anëtarëve nga komuniteti shqiptar, një anëtari nga komuniteti serb dhe një anëtari nga komunitetet joshumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).
Po ashtu, deputetët do të shqyrtojnë rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Seanca do të përfshijë edhe propozimin e Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe trajtimin institucional të dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.
Në fillim të seancës janë paraparë deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

