Zyrtari i Qendrës për Punë Sociale në Pejë, Shpat Morina, ka theksuar se kur është marrë deklarata e fëmijës 12-vjeçar në rastin e Arlinda Zekajt, nuk kishte psikologe të pranishme.
Ai theksoi se QPS-ja nuk kishte kompetencë ta thërriste një psikolog.
Morina u intervistua të mërkurën nga Komisioni Hetimor Parlamentar, i cili po heton vrasjen e Arlinda Zekajt.
Në fillim të intervistimit, ai kërkoi që mediat të mos ishin të pranishme, duke u arsyetuar se bëhej fjalë për një të mitur. “Kërkojmë që mediat mos të jenë prezente për arsye se bëhet fjalë për një 12-vjeçar, me ligj ndalohet dalja në media”, deklaroi ai.
Morina, i cili ka punuar në QPS për tetë vjet e gjysmë, iu përgjigj deputetit të VV-së, Adnan Rrustemi, nëse kishte pasur psikologe të pranishme gjatë marrjes së deklaratës dhe çfarë veprimesh ishin ndërmarrë pas raportimit të dhunës në familje. “Psikologe jo nuk ka pasur.
Ne nuk vendosim se a do të ketë psikolog.
Ne nuk i thirrim akterët e tjerë se kush duhet të marrë pjesë në gjykata, a policia apo kudo.
Nuk kemi ne kompetencë për të thirrur psikologun.
Atë natë kërkesa e saj (Arlindës) ka qenë që djalin me ma sjellë mu”, sqaroi Morina.
Ai theksoi se, në trajtimin e rastit, është synuar që të respektohet vullneti i fëmijës dhe se fëmija kishte qëndruar për tri javë te familjarët e tij. “Përfundimi ka qenë që gjithmonë me qenë vullneti i fëmijës, ne jemi munduar që ti përshtatemi fëmijës, fëmija normal.
Kjo me vetë dëshirë e ka dhënë ka 3 javë te familja vetë”, tha ai.
I pyetur nga Rrustemi nëse atë ditë kishte kuptuar se fëmija nuk ishte as me babanë dhe as me nënën, Morina u përgjigj pozitivisht, duke shtuar se fëmija kishte qëndruar te gjyshërit. “Ka qenë te agjallarët, ka qenë te gjyshja.
Ajo e ka dhënë disa herë me vetëdëshirë, ka shkuar, ka jetuar te ata”, përfundoi ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

