Ndërmarrja Rajonale e Ujësjellësit (KRU) Prishtina ka marrë një opinion të kualifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) për pasqyrat financiare të vitit 2025.
Gjetjet e auditorit janë diskutuar edhe në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku janë shprehur shqetësime për pasaktësitë në raportimin financiar dhe moszbatimin e rekomandimeve të viteve të kaluara.
Kryesuesi i këtij komisioni, Besian Mustafa, ka theksuar se opinioni i kualifikuar nuk është një vlerësim pozitiv për pasqyrat financiare të ndërmarrjes.
Ai ka theksuar se auditori ka evidentuar mbivlerësim të të hyrave dhe, si pasojë, edhe të fitimit neto të ndërmarrjes.
Gjithashtu, janë identifikuar pasaktësi në shpenzimet e TVSH-së dhe në llogaritë e arkëtueshme.
Një tjetër çështje e rëndësishme që ka dalë nga auditori, sipas Mustafës, është mosrishikimi i vlerës së mbetur të pasurisë për vitin raportues 2025, çka ka rezultuar në mangësi në regjistrin e pasurive.
Ai ka shtuar se në raportin e auditimit për vitin 2025 janë propozuar gjithsej 19 rekomandime, prej të cilave gjashtë janë të reja, tri janë pjesërisht të përsëritura, ndërsa dhjetë janë rekomandime të përsëritura nga vitin e kaluar. “Opinion i kualifikuar.
Për qytetarët e Kosovës, opinioni i kualifikuar nuk është një opinion i mirë.
Ndërmarrja ka mbivlerësuar të hyrat për 27 mijë e 427 euro, prandaj edhe fitimi neto është mbivlerësuar po me këtë vlerë.
Po ashtu, janë mbivlerësuar edhe shpenzimet e TVSH-së për 2,390 euro dhe llogaritë e arkëtueshme për 29 mijë e 880 euro nga faturimi financiar i një ujëmatësi që shërben vetëm për matjen e sasisë së ujit.
Ndërmarrja nuk ka kryer rishikimin e vlerës së mbetur të pasurisë për vitin raportues 2025.
Si rezultat, në regjistrin e pasurive janë evidentuar mangësi,” theksoi ai.
Para anëtarëve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuesi i Bordit të KRU Prishtina, Bashkim Pllana, ka dhënë sqarime lidhur me disa nga gjetjet e auditorit.
Duke folur për çështjen e ujëmatësit, Pllana ka shpjeguar se bëhet fjalë për një ujëmatës kryesor të vendosur në një ndërmarrje, përmes të cilit furnizohen edhe rreth 50 deri në 60 objekte të tjera që janë dhënë me qira.
Ai ka thënë se ndërmarrja është bazuar në Ligjin për Rregullimin e Shërbimeve të Ujit, duke pretenduar se në këtë rast ujëmatësi shërben për matjen e konsumit dhe jo për faturim të drejtpërdrejtë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

