Luis Enrique ka zbuluar se ishte shumë pranë heqjes dorë nga karriera si trajner gjatë përgatitjeve parasezonale në vitin 2008, kur drejtonte Barcelonën B.
Ai pranon se në atë kohë nuk e kishte menduar kurrë se do të bëhej trajner.
Trajneri aktual i Paris Saint-Germainit ka rikthyer kujtimet nga periudha 2008-2011, kur udhëhoqi ekipin e dytë të Barcelonës, gjatë dokumentarit të ri “Touched by Lucho, the best Barça B in history”, i realizuar nga televizioni katalanas Beteve dhe i publikuar në YouTube.
Enrique ka treguar se vendimi për t’u angazhuar si trajner nuk kishte qenë në planet e tij pas përfundimit të karrierës si futbollist.
Ai kishte ndjekur kursin për trajnerë së bashku me disa ish-bashkëlojtarë, vetëm pasi ishte inkurajuar nga të tjerët, pa pasur ndonjë synim konkret për ta ushtruar këtë profesion. “Jo, nuk e kam menduar kurrë të bëhem trajner.
Asnjëherë, as kur isha futbollist dhe as në ndonjë moment tjetër”, ka deklaruar Enrique.
Momenti më i vështirë për të erdhi gjatë verës së vitit 2008, në përgatitjet e para parasezonale me Barcelonën B, kur presioni dhe përgjegjësitë e reja e bënë të mendonte seriozisht largimin. “Për pak sa nuk hoqa dorë nga gjithçka, vërtet, gjatë përgatitjeve parasezonale,” ka rrëfyer ai. “Si futbollist, i kontrolloja të gjitha gjërat, të paktën gjithçka që mund të kontrollohej.
Ndërsa aty, nuk kontrolloja asgjë.
Absolutisht asgjë,” ka shtuar trajneri spanjoll.
Ai ka treguar se një natë, rreth orës 04:00 të mëngjesit, ishte në prag të një sulmi të hiperventilimit dhe i kishte thënë bashkëshortes se të nesërmen do të hiqte dorë nga puna si trajner.
Megjithatë, vetëm katër orë më vonë, në orën 08:00, gjërat kishin ndryshuar.
Motivimi i ishte rikthyer dhe ai kishte vendosur të vazhdonte, një vendim që më vonë do të rezultonte vendimtar për karrierën e tij.
Nën drejtimin e Enrique, Barcelona B arriti fillimisht të sigurojë promovimin në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll, përpara se të regjistronte sezonin më të mirë në historinë e klubit në këtë nivel, duke përfunduar në vendin e tretë me 71 pikë dhe 85 gola të shënuar.

