Rreth 130 persona që ishin në një anije turistike të ankoruar në New Orleans janë shpëtuar pas një përplasje të frikshme me një anije cisternë.
Anija turistike, “American Heritage”, përfundoi e anuar në njërën anë në lumin Mississippi pas goditjes nga anija e ngarkesave “Atlantic Asphalt”.
Si pasojë e përplasjes, 32 persona nga anija e goditur u dërguan në spital me lëndime që nuk janë kërcënuese për jetën, por fatmirësisht nuk ka asnjë person të zhdukur.
Zyrtarët e quajtën ngjarjen një “mrekulli në Mississippi”.
Shkaku i saktë i përplasjes mbetet ende nën hetim, por kapitenia e Rojës Bregdetare të SHBA-së, Melanie Burnham, tha: “Duket se ka pasur një lloj humbjeje të kontrollit të drejtimit të anijes”.
Kryetarja e Bashkisë së New Orleans, Helena Moreno, theksoi në një konferencë për shtyp se merita për operacionin e shpëtimit i takon ekipeve të ndërhyrjes së shpejtë, të cilët “u hodhën menjëherë në veprim për të ndihmuar”. “Nuk kemi asnjë person të zhdukur; kjo është vërtet një mrekulli në Mississippi”, tha Moreno.
Njoftimet për përplasjen mbërritën rreth orës 13:30 EST të së premtes, kur njerëzit filluan të ndihmojnë pasagjerët të largoheshin nga anija, e cila kishte filluar të mbushej me ujë, tha Melanie Montroll, drejtuese në Portin e New Orleans.
Sipas autoriteteve të Portit, në momentin e përplasjes, në bordin e “American Heritage” ndodheshin rreth 129 pasagjerë, përveç anëtarëve të ekuipazhit.
Ekuipazhet e anijeve rimorkiatorë, policia dhe shpëtimtarë të tjerë nxituan për të ofruar ndihmë, ndërsa autoritetet mbyllën lundrimin në lumin Mississippi për të mundësuar operacionin e kërkim-shpëtimit.
Anija “American Heritage” ishte në përfundim të një udhëtimi tetëditor drejt destinacioneve përgjatë lumit Mississippi, në shtetet Luiziana dhe Mississippi.
Presidenti Donald Trump shprehu vlerësimin e tij në platformën “Truth Social”, duke e quajtur operacionin e shpëtimit një “punë e jashtëzakonshme”.
Sekretari për Sigurinë e Brendshme, Markwayne Mullin, njoftoi se edhe Roja Bregdetare e SHBA-së ofroi mbështetje për operacionet lokale të shpëtimit.




