Të premten, Turqia dhe Katari nënshkruan një marrëveshje të rëndësishme për mbrojtjen e ndërsjellë, duke forcuar partneritetin e tyre strategjik dhe sigurinë për qëllime parandalimi, në një peizazh sigurie që po ndryshon me shpejtësi në rajonin e Gjirit dhe Lindjes së Mesme.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe Emiri i Katarit, Sheik Tamim bin Hamad Al Thani, u takuan në Stamboll për të bashkëkryesuar Komitetin e Lartë Strategjik midis dy vendeve, duke finalizuar një sërë marrëveshjesh dypalëshe.
Sipas një deklarate të përbashkët, liderët miratuan marrëveshjen e mbrojtjes së ndërsjellë, e cila “synon forcimin e mbrojtjes kolektive, arritjen e sigurisë dhe stabilitetit rajonal, si dhe krijimin e një qëndrimi të unifikuar përballë çdo sulmi të armatosur të jashtëm që mund të ketë në shënjestër njërën ose të dyja palët”. “Palët ranë dakord të zhvillojnë konsultime mbi kërcënimet ndaj sigurisë së tyre… dhe të forcojnë bashkëpunimin përmes ushtrimeve të përbashkëta ushtarake, bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes dhe shkëmbimit të trajnimeve për personelin”, thuhet në deklaratë.
Të dyja vendet theksuan se marrëveshja pasqyron vizionin e tyre të përbashkët për një rend rajonal më të sigurt dhe më të qëndrueshëm.
Zyra e Erdoganit shpalli se kjo marrëveshje “do t’i shtojë një dimension të ri lidhjeve vëllazërore midis dy vendeve”.
Sipas një njoftimi të presidencës turke, Presidenti Erdogan tha se “do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të parandaluar rishpërthimin e luftës në rajonin e Gjirit, për të krijuar një bazë për dialog dhe për të arritur paqen”.
Gjithashtu, u theksua se marrëveshja do të zgjerojë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes mes dy vendeve.
Erdogani theksoi se Turqia dhe Katari do të vazhdojnë të punojnë së bashku “për të parandaluar një shpërthim të ri lufte në rajonin e Gjirit dhe për të promovuar dialogun e paqen”.
Deklarata shton se liderët diskutuan gjithashtu mbi sulmet e Izraelit në Gaza, situatën humanitare në territoret palestineze, përpjekjet për normalizimin e situatës në Siri dhe zhvillimet më të fundit në Libi.
Katari dhe Turqia nënshkruan gjithashtu marrëveshje të shumta në fusha si tregtia, energjia, diplomacia, arsimi dhe kultura.
Ky partneritet i ri vjen në një kohë rikonfigurimesh të shpejta të mbrojtjes rajonale, të nxitura nga lufta që përfshin Iranin; Turqia, Katari, Arabia Saudite, Pakistani dhe Indonezia kanë filluar të krijojnë një hartë të re të aleancave mbrojtëse në rajon brenda pak muajsh.
Vendet e Gjirit kanë qenë të qarta se ombrella rajonale e sigurisë e Shteteve të Bashkuara vazhdon të jetë qendrore në arkitekturën e tyre të sigurisë, por me Uashingtonin që sinjalizon riorganizimin e vet global, vendet e Gjirit tani po zgjerojnë strategjitë e tyre të mbrojtjes, në kontekstin e realitetit të vazhdueshëm “pa luftë, pa paqe”.
Në gusht, Turqia, Pakistani dhe Arabia Saudite nënshkruan “Marrëveshjen e Përbashkët të Mbrojtjes së Mekës”, një pakt rajonal mbrojtjeje që do t’i ndihmojë njëri-tjetrit në rast sulmi.
I ratifikuar nga parlamenti turk javën e kaluar, ky pakt lidh anëtaren e NATO-s, Turqinë, me Pakistanin dhe Arabinë Saudite.
Turqia ka theksuar se marrëveshja nuk ka si synim asnjë vend tjetër dhe mbetet e hapur për shtete të tjera, përfshirë Egjiptin.
Po ashtu, në gusht, Pakistani dhe Kuvajti nënshkruan një marrëveshje të përbashkët bashkëpunimi për mbrojtje dhe ushtarak.




