temp image 942 temp image 942

Arbërie Nagavci: Qytetarët e Kosovës po përballen me rritjen e kostos së jetesës

- Advertisement -

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, theksoi se qytetarët e Kosovës po përballen me një rritje të konsiderueshme të kostos së jetesës, sidomos gjatë muajve të dimrit, kur shpenzimet për ngrohje dhe energji elektrike shtohen ndjeshëm.

Gjatë një fjalimi në Parlament, Nagavci u shpreh se krizat ndërkombëtare dhe luftërat vazhdojnë të ndikojnë në çmimet e energjisë dhe produkteve ushqimore, duke theksuar se pasojat ekonomike të këtyre zhvillimeve në Kosovë janë ndier që nga viti 2022. “Kemi hyrë në muajt e dimrit, po afrohen edhe festat e fundvitit, familjeve u shtohen shpenzimet për ngrohje dhe energji.

Në të njëjtën kohë, luftërat dhe krizat ekonomike po vazhdojnë të ndikojnë në çmimet e energjisë dhe të produkteve ushqimore në mbarë botën.

Kosova nuk është palë në këto luftëra, por pasojat e tyre ekonomike po i ndiejmë që nga viti 2022.

Këtë vit, rritja e çmimeve është bërë edhe më e ndjeshme për shkak të këtyre konflikteve,” tha ajo.

Ajo shtoi se, ndonëse këto kriza kanë një ndikim të madh në ekonominë e Kosovës, ato nuk duhet të shërbejnë si justifikim për çdo rritje çmimi.

Sipas Nagavcit, duhet bërë dallimi mes shtrenjtimit që vjen si pasojë e kostos së furnizimit dhe lëndëve të para, dhe rritjes abuzive të çmimeve. “Krizat ndërkombëtare ndikojnë edhe në ekonominë tonë, madje shumë, por ato s’mund të përdoren si arsyetim për çdo shtrenjtim.

Duhet të dihet se cilat çmime rriten për shkak të kostos së furnizimit apo lëndës së parë dhe cilat rriten në mënyrë abuzive.

Shtrenjtimi i jetesës i prek të gjithë, por jo të gjitha familjet i rëndon njësoj,” shprehu ajo.

Nagavci gjithashtu përmendi masat që Qeveria ka ndërmarrë gjatë vitit 2026 për të mbështetur qytetarët përballë këtyre vështirësive ekonomike.

Ajo veçoi rritjen e pagës minimale në dy faza, fillimisht në 425 euro nga janari dhe më pas në 500 euro nga korriku. “Gjatë vitit 2026, Qeveria ka ndërmarrë masa konkrete për t’i mbështetur qytetarët përballë këtyre vështirësive.

Paga minimale është rritur në dy faza: në 425 euro nga janari dhe në 500 euro nga korriku,” tha Nagavci. “Shtesat për lehona janë rritur në 500 euro në muaj, ndërkohë që përmes Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0 janë paraparë pagesa të njëhershme prej 100 eurosh për pensionistë, fëmijë, studentët aktivë dhe punëtorët e sektorit privat,” shtoi ajo.

Shefja e grupit parlamentar e VV-së përmendi edhe programin e subvencionimit të faturave të energjisë elektrike për familjet e cenueshme, për të cilin janë paraparë rreth 15 milionë euro. “Për dimrin 2026-2027, Qeveria ka miratuar programin e subvencionimit të faturave të rrymës për familjet e cenueshme, me rreth 15 milionë euro të parapara,” theksoi Nagavci.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -