Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) organizoi sot një tryezë diskutimi për të trajtuar nevojën e ndryshimit të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve në Kosovë, me qëllim lehtësimin e zbatimit të tij në praktikë dhe përafrimin me standardet e Direktivës së BE për mbrojtjen e sinjalizuesve.
Gjatë diskutimeve, KDI-ja theksoi rëndësinë e lejes për sinjalizimin anonim, një mundësi që aktualisht nuk është e parashikuar nga ligji në fuqi.
Po ashtu, kërkoi që punonjësit e sektorit publik e privat të mos jenë të detyruar t’i raportojnë keqpërdorimet që prekin interesin publik brenda institucionit ku punojnë, por të kenë mundësi ta bëjnë këtë në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Duke pasur parasysh se sinjalizimi mund të jetë një proces i vështirë dhe i kushtueshëm, KDI-ja kërkon që shteti të ofrojë mbështetje psikologjike dhe ndihmë juridike falas për ata që guxojnë të raportojnë keqpërdorime për mirëqenien e publikut.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, deklaroi se “do të synohet që vitin tjetër Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve të rihapet dhe ndryshimet të jenë rezultat i vlerësimeve ex post të ligjit”, duke shtuar se do të angazhohet personalisht për këtë çështje.
Ai e theksoi se roli i sinjalizuesve është shumë i rëndësishëm për ekspozimin e keqpërdorimeve dhe korrupsionit në sektorin publik.
Nga ana tjetër, Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, përmendi sfidat në zbatimin e këtij ligji në sektorët publik dhe privat, duke theksuar nevojën për trajnimin e zyrtarëve që trajtojnë rastet e sinjalizimit, në mënyrë që ata të kuptojnë më mirë rolin e tyre.
Ai theksoi se ndryshimet ligjore janë të nevojshme, por vetëm në ato pjesë ku janë hasur probleme gjatë zbatimit.
Gjatë diskutimeve kontribuan edhe partnerët nga degët e Transparency International nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut, të cilët ndanë perspektivat e vendeve të tyre për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe hapat drejt përafrimit të legjislacionit të tyre me Direktivën e BE-së.
KDI-ja, për më shumë se 15 vite, vazhdon të ofrojë ndihmë juridike falas për të gjithë sinjalizuesit dhe përmes raporteve të saj monitoruese, kontribuon në përmirësimin e praktikave dhe legjislacionit në këtë fushë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




