Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, njoftoi se seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës do të mbahet të enjten, duke nisur nga ora 10:00.
Ajo theksoi se, përveç pikave të zakonshme të rendit të ditës, deputetët do të shqyrtojnë edhe katër marrëveshje ndërkombëtare që kanë kaluar sot në Komisionin për Legjislacion dhe që kanë të bëjnë me fushën e drejtësisë.
Pas shqyrtimit të këtyre marrëveshjeve, do të mbahet një interpelancë me ministrin e Shëndetësisë, e iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Nagavci u pyet gjithashtu për kthimin e projektligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend nga presidentja e Kosovës.
Ajo bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje është duke zhvilluar bisedime me PDK-në, si parti iniciuese e këtij projektligji, për të arritur një pajtueshmëri lidhur me hapat e ardhshëm.
Nagavci theksoi se nuk është në interes të krijohet një situatë e re përplasjeje ndërmjet presidentes dhe Kuvendit, dhe shprehu shpresën se për çështjet përmbajtjesore do të arrihet një pajtueshmëri. “Ne jemi duke diskutuar me PDK-në, si partia iniciuese, dhe e kemi bërë të qartë se nuk është mirë të krijojmë një situatë të re mes presidentes dhe Kuvendit.
Sa u përket çështjeve përmbajtjesore, besoj se do të arrijmë një pajtueshmëri”, tha ajo.
Ajo gjithashtu përmendi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se ekziston një aktgjykim për këtë çështje, si dhe dy raste të tjera që, sipas saj, e bëjnë të qartë se ligji nuk mund të amandamentohet. “Ne e kemi të qartë se tashmë ka një aktgjykim të Kushtetueses dhe ka edhe dy raste të tjera që e bëjnë të qartë se ligji nuk mund të amandamentohet”, ka thënë Nagavci.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




